Objekte Kulti

Kisha e Shën Mërisë në Cerckë, Leskovik

Vlerësime 0

Kisha e Shën Mërisë ndodhet në Cerckë pranë Leskovikut, në Kolonjë. Ajo është një ndër monumentet më të vjetra mesjetare të vendit tonë, që ruan më shumë piktura monumentale në gjendje relativisht të mirë.

Kisha shekullore e Shën Mërisë është me përmasa 6.55 x 5.26 m, është një paraklis me një çati të kohërave të vona. Përveç një dere nga ana perëndimore nëpër të cilën hyhet në kishë, nuk ka asnjë dritare. Në murin lindor apsida nga brenda është gjysmëciilndrike, me tryezën e altarit të murosur. Nga jashtë ajo paraqitet e dalë në formë katërkëndsh kënddrejtë që mban datën me shifra arabe 1159, të gdhendur në një gur të murosur. Muri lindor i Kishës së Cerckës ka dhe një brez gurësh që janë vendosur pjerrët si kornizë.

Të gjitha faqet e mureve të brendshme të kishës janë stolisur me pikturë, ku pjesa më e madhe ruhet në gjendje të mirë. Edhe në ato pjesë të dëmtuara, u lexohet tematika ku nëpërmjet tyre jepet me përafërsi datimi i kishës dhe i pikturës. Disa nga skenat janë: Fjetja e Shën Marisë, Kryqëzimi i Krishtit, Shpërfytyrimi (me Krishtin brenda një mandrole), Guri etj. Me plastikë më të mirë janë figurat e dy engjëjve. Në vendin tonë, në asnjë skenë tjetër analoge të kohës paraturke, nuk kemi hasur dy engjëj mbi varrin e Krishtit.

Ndonëse në stil të vjetër bizantin, në pikturën e Cerckës, disa figura janë arritur me nivel të lartë artistik, me vështrime të gjalla, me botë të pasur shpirtërore e me individualitet të theksuar. Mendohet se piktura e Cerckës duhet t'i përkojë gjysmës së shek.XI dhe jo më vonë se fillimi i shek.XII. Këtë e dëshmon dhe mbishkrimi kryesor i kishës që ruhet mbi portë, paleografia e tekstit të ungjillit që mban Shën Thanasi në duar, paleografia e rulove që kanë shenjtorët dhe paleografia e nënshkrimeve të të gjitha figurave. Kisha e Shën Mërisë mbetet për tu vizituar si një ndër monumentet mesjetare me shumë vlera, e cila ngrihet midis vreshtave të fshatit Cerckë, 3 km në jug të Leskovikut.

Book your vacations

Adresa

Cerckë, Qendër Leskovik, Bashkia Kolonjë

Vlerësime

0

Ju duhet të hyni në llogarinë tuaj për të komentuar

ose