Shpella e Piratëve është një nga sekretet që mbart bregdeti i Jonit. Ajo ndodhet pranë plazheve të Dhërmiut, në një breg shkëmbor shumë pranë Manastirit të Shën Theodhorit.
Shpella ujore ka një thellësi prej 40 metrash, dhe nëpër muret e lagështa vihen re shenja bloze dhe gjurmë zjarresh. Ky objekt natyror, sipas gjeografëve vlonjatë, është shpella më e madhe detare e vendit, me xhepa të shumtë brenda saj.
Hyrja e shpellës është e përbërë nga dy zgavra të mëdha. Për të shkuar në këtë shpellë, mënyra e vetme është nga deti me një mjet lundrues.
Brenda hapësirës së shpellës mund të dallohen masivet shkëmbore që përbëjnë faqet anësore të saj.
Historia që mbart Shpella e Piratëve dhe bukuria e jashtëzakonshme natyrore tërheq shumë vizitorë. Ata kanë mundësi të vijnë në këtë mjedis natyror, ku e shkuara dhe e tashmja bashkohen në një dhe ngjallin emocione të pazakonta.