Kala

Kalaja e Trajanit

Vlerësime 0

Kalaja e Trajanit ndodhet në verilindje të fshatit Tren, në Devoll. Ajo ngrihet mbi një kreshtë malore të lartë 1245 m, mbi nivelin e detit. Kalaja e Trajanit, është një nga vendbanimet e fortifikuara prehistorike, më të mëdha në territorin e Ilirisë, me sipërfaqe prej 22 ha.

Kalaja është një monument i trashëgimisë kulturore, i llojit "Arkeologji", i miratuar në janar të vitit 1963. Mendohet që kalaja ta ketë marrë emrin: nga Perandori Romak Trajan, i cili jetoi njëqind vjet pas Krishtit dhe shumë kohë pas vdekjes së tij, njerëzit vazhdonin ta mbanin në gojë për drejtësinë, mirësinë e tij.

Kalaja ndahet në pesë pjesë nga mure rrethuese, të cilat kanë një gjatësi të përgjithshme prej 3 km. Pjesa jugperëndimore e saj ka mjaft taraca të gjera natyrore të përshtatshme për banim ndërsa pjesa veri, e verilindore është krejtësisht shkëmbore dhe bie pingul mbi liqenin e Prespës së Vogël. Muret kanë një trashësi prej 3.20-3.50 m dhe janë ndërtuar me gurë të papunuar.

Megjithatë mbrojtja e këtij vendbanimi nuk përfundon me kaq. Një mur me gjatësi 500 m, kalon nëpër lartësinë e kodrës, duke e përshkuar atë mespërmes. Ky mur njihej me emrin muri i Mokut, i cili mendohet të jetë ndërtuar në një periudhë më të vonë dhe ka shërbyer si pritë në rastin e ndonjësulmi të befasishëm për banorët, që jetonin jashtë mureve të kalasë.

Vendbanimet e mbrojtura me shumë mure rrethuese, janë një tipar karakteristik për fortifikimet ilire të një periudhe të hershme. Janë gjetur objekte në afërsi të saj të shek.VIII-VII p.e.r, që i përkasin një tume. Në afërsi të kalasë ndodhet edhe shpella e Trenit, shpella e Ventrokut të cilat mbeten për tu vizituar gjithashtu edhe Gorica e Pavliqi, ku janë bërë gjetje me vlera të mëdha shkencore.

Book your vacations

Adresa

Tren, Albania

Vlerësime

0

Ju duhet të hyni në llogarinë tuaj për të komentuar

ose