Fshati i Kallaratit ngrihet në një terren kodrinor që shtrihet në të dy anët e rrjedhjes së sipërme të Shushicës, poshtë Kuçit. Nga verilindja e lindja kufizohet me Bolenën, nga juglindja e jugu me Kuçin, nga perëndimi me Pilurin dhe Himarën, kurse nga veriu e veriperëndimi me Vranishtin. Kallarati ka një sipërfaqe të përgjithshme - me toka bujqësore, kodra e male. Tokat shtrihen kryesisht në të dy anët e lumit të Shushicës dhe në zonën kodrinore. Kodrat zënë rreth 50 % të sipërfaqes së territorit të tij. Është fshati më i ulët i gjithë Kurveleshit, në lartësinë mesatare 354 m mbi nivelin e detit. Përmes tij kalon lumi i Shushicës dhe rruga automobilistike Vlore-Kuç-Borsh, që gjarpëron përgjatë brigjeve të lumit.
Emri i fshatit përmendet për herë të parë në defterin osman të vitit 1432.
Fshati fillimisht ka qenë i vendosur në Kunjovë.
Më vonë fshati u shpërngul në rrëzë të malit të Bogonicës, në vendin rrëza e Pelingrisë. Largimi nga vendbanimi i vjetër dhe vendosja në rrëzë të malit të Bogonicës ka ndodhur rreth viteve 1660-1720.
Kallarati përmendet në dokumente që nga shek. XV. Banorët e tij kanë qenë pjesëmarrës aktiv në të gjitha lëvizjet kundër pushtimit osman. Ata kanë marrë pjesë në të gjitha kryengritjet e mëdha, duke filluar me kryengritjen e Gjergj Arianitit më 1432, në kryengritjet e përgjakshme të viteve 1481-1537, te cilat e bënë të njohur krahinën e Himarës në Europë. Në një dokument të 15 majit 1507 thuhet se në defterin e haraçit janë shënuar si kryengritëse dhe kokëforta”. Kallarati ka kontribuar me armë e luftetar në të gjitha kryengritjet e Labërisë.
Fshati Kallarat është quajtur ndryshe "Troja e vogël" Pasi Fshati me 89 shtëpi u dogj nga grekët në vitin 1914.
Pas luftimeve të fundit më 14-15 korrik 1914 ku forcat greke vranë, dogjën e shkatërruan gjithshka. kallaratasit, si gjithë Kurveleshi u shpërngulën nga fshati. Fshatarët u kthyen në shtëpitë e tyre në shtator të vitit 1916. Përpara i priste një dimër i vështirë: fshati ishte bërë shkrumb dhe, bashkë me të, e gjithë pasuria që kishin.
Bagëtia ishte shfarosur pemët frutore ishin prerë e djegur. Duke qenë se shtëpitë ishin bërë të pabanuara, fshatarët e braktisën fshatin dhe u vendosën buzë lumit e përrenjve, aty ku kishin tokat, duke ngritur kasolle e duke u marrë me bujqësi, që në këto rrethana mbetej për ta i vetmi burim i jetesës. Vështirësitë e rifillimit të jetës nga e para nuk i penguan kallaratasit të mendonin edhe për luftimin e plagëve të pushtimit shumëshekullor. Shtëpitë në “Fshatin e Djegur” ishin të ndërtuara prej guri dhe dykatëshe. Fshati i Djegur ka pamje qyteze, me shtëpi dykatëshe dhe me rrugica që zbrisnin në qendër të tij. Në kohën e socializmit muret e mbetura u prishën dhe gurët u përdorën për ndërtimin e shtëpive në Morrez. Sot rruhen fragmente mure dhe themele të shtëpive.
Sot ruhen rrënojat e shtëpive dhe toponimi “Fshati i Djegur”. Ndoshta do të vijë një ditë që “Fshati i Djegur” të bëhet muze për të treguar ndodhitë e pushtimeve dhe të masakrave të kryera në këtë fshat.
Kallaratasit njihen si mikpritës dhe që kanë shumë dashuri në zemër për fshatin e tyre prandaj ata i rrisin fëmijët me shprehjen
“Ec ngado, por Kallaratin mos e harro”
Adresa
Kallarat, AlbaniaJu duhet të hyni në llogarinë tuaj për të komentuar