Kala

Kalaja e Rozafës, Shkodër

Vlerësime 0

Në jug-lindje Qytetit të Shkodrës, përpara hyrjes së saj ndodhet Kalaja e Rozafës, kala me një rëndësi të veçantë në historinë dhe trashëgiminë shqiptare. E ndertuar që në shekullin e IX p.e.r kalaja ngrihet mbi një kodër shkëmbore rreth130 metra mbi nivelin e detit dhe rrethohet nga lumenjtë Buna dhe Drin.

Legjenda tregon se tre vëllezër nisën ndërtimin e fortesës, por ajo ishte e mallkuar prej perëndive të cilat e shembnin punën çdo natë. Për të lejuar qëndrimin e mureve të kalasë, perënditë kërkuan një sakrificë, që padrejtësisht u vendos të ishte Rozafa, nusja më e vogël e shtëpisë. Përpara se të murosej e gjallë Rozafa kërkoi që gjysma e trupit të saj të mbetej jashtë murit, në mënyrë që të ushqente foshnjen e saj. Një skulpturë e gdhendur e figurës së Rozafës gjendet brenda murit në hyrje të kalasë.

E ndërsa kalaja përmendet që gjatë sundimit të mbretit ilir Gent, emrin Rozafa të marrë nga legjenda e hasim gjatë mesjetës.

Brenda mureve të kalasë gjenden tre oborre kryesore, pas hyrjes në barbakan, do të gjendeni në oborrin e pare, ku gjendet trakti i murit ilir të shek. të IV-rt para Krishtit, dëshmia më e vjetër e kalasë. Përgjatë oborrit të parë gjenden dhe rrënojat mesjetare të cisternave, kullave të Balshajve apo banesave veneciane. Në oborrin e dytë, pranë mureve rrethuese në veriperëndim të kalasë, gjenden rrënojat e një objekti i cili meriton vemendje të veçantë. Fillimisht ky monument ishte Kisha e Shën Stefanit (shek. XIII-XV) por, gjatë periudhës së Perandorisë Osmane, objekti u transformua në Xhaminë e Sulltan Mehmet Fatihut (shek. XVI – XIX). Në të njëjtën periudhë, popullsia katolike braktisi kalanë dhe ambjentet e saj u kthyen në një bazë ushtarake. Rrënojat e kishë-xhamisë u braktisën përfundimisht në vitin 1865. Në të njëjtin oborr janë edhe rrënojat e burgut otoman, kazerma e depos së municioneve që datojnë rreth shek. XVI – XVII, si dhe depozitat katërkëndëshe të mbuluara me qemer. Kalaja përfundon në oborrin e tretë, ku spikat një godinë trekatëshe e kohës veneciane, e njohur si “Kapitaneria”, e cila shërbente si rezidencë e sundimtarit venedikas. Në këtë godinë gjendet sot Muzeu i Kalasë së Shkodrës, ku flitet për të shkuarën 4000 vjeçare të kalasë si edhe etapat dhe familjet më të rëndësishme mesjetare të qytetit të Shkodrës.

Përgjatë kalasë shfaqen pamje të mrekullueshme të Liqenit të Shkodrës, të lumenjve dhe të maleve të shumta përreth, e në jugperëndim të saj në oborrin e tretë, si një spektakël vërehet pika e takimit të lumenjve Drin, Kir dhe Buna teksa gërshetohen së bashku. Kalaja mund të vizitohet çdo ditë, ajo ofron përjetimin e një eksperience të jashtëzakonshme për vizitorët.

Kontakto

Adresa

Rozafa Castle, Rruga e Kalasë, 10 Korriku

Vlerësime

0

Ju duhet të hyni në llogarinë tuaj për të komentuar

ose