Kala

Kalaja e Prezës, Tiranë

Vlerësime 0

Kalaja e Prezës ndodhet në verilindje të kryeqytetit të Shqipërisë Tiranës, vetëm pak kilometra larg aeroportit Nënë Tereza. Eshtë një kala tipike mesdhetare dhe lulëzimin e saj e ka patur në shek. XV por mendohet nga arkeologët që është ndërtuar diku aty midis shek. XIII dhe XIV. Kjo kala e ndërtuar mbi një shkëmb zgjatet në drejtimin veri-jug e kështu në lindje të saj është e mbrojtur nga vetë terreni e në perëndim bazohet në një territor të sheshtë duke e përqendruar fortifikimin e saj ekzaktësisht në këtë anë.

 

Kalaja ka planimetri katërkëndore me brinjë 80 x 50 m. Ajo përforcohet nëpër qoshe me katër kulla që kanë planimetri rrethore. Në murin perëndimor për të përforcuar më tepër sistemin fortifikues të kalasë, pasi kjo pjesë është me e ekspozuar dhe më pak e mbrojtur ndaj sulmeve si dhe ka një largësi të konsiderueshme midis kullave, është ndërtuar një kullë katërkëndëshe e dalë nga muri. Në faqen jugore është ndërtuar një kullë tjetër katërkëndëshe për të mbrojtur hyrjen e vetme të kalasë. Kjo kullë përforcohet dhe nga oborri që ndodhet në përbërje të saj. Në kala kemi katër faza të ndryshme ndërtimi. Periudha e parë lidhet me fortifikim e kalasë, e dyta lidhet me rindërtimin e mureve rrethuese, e treta ka të bëjë me ndërtimet që janë bërë brenda mureve rrethuese, kurse faza e katër lidhet me ndërtimin e një kulle sahati që nuk ka të bëjë me sistemin fortifikues, por i përket një periudhe të mëvonshme. Periudhës së parë i përkasin vetëm muret rrethuese, të cilat ruhen në lartësi të ndryshme.

 

Mbi mur në trashësinë e tij është vendosur një platformë drusore që shërbente për lëvizjen e luftëtarëve. Për mbrojtjen e kalasë shërbenin frëngjitë të cilat janë të pranishme në të gjitha kullat. Me anë të tyre kontrolloheshin të gjitha muret e kalasë si dhe hyrja e saj. Kalaja ka pasur vetëm një hyrje.

Ajo ndodhet në mes të faqes jugore të murit rrethues, midis kullave 1 e 2. Për të bërë sa më të sigurt hyrjen, ajo është e mbrojtur nga një kullë katërkëndëshe. Porta e kalasë mbyllet nga sipër me qemer cilindrik të shtrirë. Duke u nisur nga sipërfaqja e vogël e kalasë autorët mendojnë se ajo nuk duhet të ketë shërbyer për banim, por ka pasur vetëm funksion ushtarak.

Përmasat e vogla të saj si dhe qëndrueshmëria jo shumë e madhe e mureve rrethuese, e klasifikojnë këtë kala si një objekt që ka shërbyer për vëzhgimin e rrugëve të rëndësishme ekonomike dhe ushtarake, që kalonin poshtë saj nëpër fushën e Tiranës.

Të dhënat e para mbi Kalanë e Prezës i pasqyron Marin Barleti në përshkrimet e tij në vitin 1466  mbi rrënojat e Prezës e më pas një tjetër relacion anonim i 1570 shkruan për rindërtimin e kësaj kalaje nga turqit. 

Kalaja e Prezës si objekt i trashëgimnisë kulturore shqiptare ofron panoramë të mrekullueshme dhe është i aksesueshëm për çdo vizitor gjithë ditët e vitit. Aty sot gjendet edhe facilitete të ndryshme si restorante, bare etj. 

Adresa

Kalaja e Prezës, Rruga Kthesa e Rinasit, Gjeç Kodër

Vlerësime

0

Ju duhet të hyni në llogarinë tuaj për të komentuar

ose