Kala

Kalaja e Krujës dhe Muzeu i Skënderbeut

Vlerësime 4

Kalaja e Krujës ka trajtë eliptike me një perimetër prej 804 m. Ajo zë një sipërfaqe prej 2.5 ha tokë dhe është ngritur në një kodër shkëmbore.

Në bazë të gërmimeve arkeologjike më1978, u përcaktua se kodra ka qenë e banuar që në shek.III p.e.r, pra rreth 2400 vite më parë, ndërsa kalaja është ndërtuar në shek.V-VI gjë që e dëshmon edhe një varrezë e madhe e kulturës arbërore gjetur në afërsi. Emri i sotëm i kalasë përmendet bashkë me qytetin e Krujës aty nga shek.IX.

Kalaja është rrethuar katër herë. Herën e parë më 1450 me 100.000 ushtarë nga Sulltan Murati i II-të, e herën e dytë më 1466, herën e tretë në 1467. Në të gjitha këto rrethime, të udhëhequr nga Skënderbeu shqiptarët triumfuan, e lufta përfundoi me tërheqjen e turqve nga territorret shqiptare. Pas vdekjes së Skënderbeut, në rrethimin e katërt më 1476-1478 kruja ra, ajo u pushtua nga turqit dhe një vit më pas u pushtua dhe Shkodra.

Në shek.XIII-XIV, Kruja e posaçërisht kalaja e saj, u përdor si qendra e shtetit të Arbrit. Ajo u kthye në krye-fortesën e qëndresës së shqiptarëve, kundër pushtimit osman gjatë periudhës së Skënderbeut

Përballë kalasë ndodhen rrënojat e një ish-kishe, që gjatë pushtimit osman u kthye në xhami dhe në cepin më lindor të kështjellës ekziston një kullë këmbanore e cila u zbulua më vitin 1988.

Për nder të Skënderbeut në brendësi të kalasë sot gjendet Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti ". 

Skënderbeu ishte udhëheqësi i një prej periudhave më të ndritura në historinë e Shqipërisë, Hero Kombëtar "Ideator i Aleancës së parë Euroatlantike", "Atlet i Krishtit", "Mbrojtës i Venedikut", fitues i 29 luftrave nga 30 të zhvilluara, "Mbret i shqiptarëve", "Pasardhës i Pirros së Epirit", i cili me rikthimin e tij në Krujë, shënoi përjetë emrin e qytetit të Krujës me vulën e tij. Me iniciativë papnore enciklike për nderimin botëror të Gjergj Kastriotit, Papa i Romës i dha këtë titull të lartë Skënderbeut, i cili është një nga vlerësimet më të mëdha të asaj kohe. Dy sulltanë erdhën të ndëshonin Skënderbeun në Shqipëri, e të dy dështuan. Mbi të janë shkruar 600 libra në të gjithë botën, për të shkrimtari Longfelloë ka shkruar poemë. Kanë shkruar opera: François Francoeur, François Rebel dhe Vivaldi, Gentile Bellini më 1466 ka bërë portretin e tij si dhe piktori i madh Rembrand gjithashtu ka pikturuar portretin e tij. 

Në qendër të muzeut është figura e Gjergj Kastriotit. Sapo hyn, përballesh me grupin skulpturor (altoreliev) të Skëndërbeut dhe trimave të tij, moment simbolik artistik i luftrave që udhëhoqi Heroi Kombëtar. Aty shfaqen, në mënyrë artistike elementet e veshjeve dhe pajisjeve luftarake të kohës.

Skënderbeu portretizohet në artin pamor të muzeut si luftëtari dhe burri i shtetit që udhëhoqi betejat. Ndërsa në pavionet e tjera ruhen dokumente, bibliografi origjinale, riprodhime që tregojnë historinë në shek.XV. Muzeu tregon në mënyrë kronologjike dinamikën e jetës së principateve shqiptare, nëpërmjet objekteve prej qeramike, bronxi, hekuri e bakri, ikonave origjinale, shpatave të kohës, deri edhe një këmbanë të vitit 1462.

Afresket e lakuara në muret e muzeut, frymëzonen nga arti bizantin. Aty shfaqen portretizime romantike që nga rikthimi i Skëndërbeut në Krujë, deri tek glorifikimi i bashkimit të principateve. Muzeu i Skënderbeut, është i pajisur me guidë në gjuhët shqip dhe anglisht duke i dhënë një impuls domethënës njohjes së heroit të shqiptarëve, figura e të cilit është bërë pjesë e bibliografive të njohura në botë dhe ka frymëzuar artistët shqiptarë.

Një tjetër ndërtesë e asaj periudhe gjendet në skajin jugperëndimor të kalasë, hamami. Ai përbëhet nga katër ambiente, ambienti i zhveshjes sot ruhet i zbuluar pa çati. Me shkallë prej këndej, zbritet në ambientin ndërmjetës i cili djathtas ka gjurmë të një vaske. Në thellësi janë dy ambientet e veçantë të larjes, të cilët kanë pasur nga një vaskë.

Kalaja e Krujës është një ndër destinacionet më të frekuentuara në Shqipëri, ajo pasqyron më së miri një pjesë të rëndësishme të historisë, kulturës dhe traditave shqiptare.

Book your vacations

Adresa

Rruga Kala, Krujë, Albania

Vlerësime

4
Genc
2023-12-08

Shum informativ faleminderit.

Ju duhet të hyni në llogarinë tuaj për të komentuar

ose