Kala

Kalaja e Kaninës

Vlerësime 0

Kalaja e Kaninës ndodhet 6 km larg nga qyteti i Vlorës, në një kodër me lartësi 380 m mbi nivelin e detit. Kalaja është shpallur monument i trashëgimisë kulturore i llojit "Arkeologji", në vitin 1948. Muri rrethues është i gjatë 1 km dhe përfshin një sipërfaqe prej 3.6 ha.
Kalaja mendohet të jetë ngritur, rreth shek.IV p.e.s. Në të gjithë sistemin fortifikues dallojmë disa faza ndërtimi që shtrihen në dy periudha, në periudhën antike si dhe në atë të periudhës mesjetare, përkatësisht bizantine, veneciane dhe turke.Kalaja u rindërtua nga Justiniani në shek.VI, i cili ndërtoi 94 fortifikime në Epir. Në shekujt XII-XIII, u kthye në një qendër ushtarake. Gjithashtu u meremetua nga sulltan Sulejmani në vitin 1530 dhe së fundmi nga feudalët shqiptarë të Vlorës, në shekujt XVII-XIX. 
Kalaja e Kaninës ndahet nga mure tërthore në tri pjesë. Prej tyre sot ruhen vetëm muri, që ndan pjesën më të lartë të kodrës, i cili mbrohej nga tri kulla. Brenda rrethimit, kishte shtëpi banimi, ndërtesa për garnizonin, depo municioni, si dhe stera për furnizimin me ujë. Hyrjet janë të thjeshta dhe mbrohen nga kulla anësore. Kullat që përforcojnë muret kanë forma rrethore, poligonale, trekëndëshe dhe katërkëndëshe. Shumë prej kullave, duke gjykuar nga teknika të ndërtimit dhe format e tyre planimetrike, përfaqësojnë periudha të ndryshme ndërtimi. 
Nga shtatë kulla, që ruhen sot në kalanë e Kaninës, dy prej tyre kanë formë trekëndëshe. Por sasia e kullave në përgjithësi ka qenë më e madhe. Nga një skicë planimetrike, e botuar në 1688, shihet se kalaja në atë kohë kishte 14 kulla.
Kalaja është në një fushë të rrethuar me mure dhe përballë saj është deti, që duket si në pëllëmbë të dorës. Kalaja e Kaninës mbetet një atraksion i jashtëzakonshëm, për turizmin historik e kulturor në Vlorë.

Book your vacations

Adresa

Kalaja e Kaninës, Bypass Vlorë, Qendër Vlorë

Vlerësime

0

Ju duhet të hyni në llogarinë tuaj për të komentuar

ose