Parqet Kombëtare

Fshati Bogovë

Vlerësime 0

Fshati i Bogovës ndodhet në të djathtë të lumit Osum dhe malit të Tomorrit në Berat, me lartësi 265 m mbi nivelin e detit. Bogova shtrihet saktësisht në dalje të rrugës nacionale Berat-Poliçan, duke lënë në të djathtë rrënojat e ish-Kombinatit Ushtarak të Poliçanit dhe duke hyrë në grykat madhështore të maleve. Emri i fshatit, e ka origjinën nga fjala sllave për “Zotat”, Bogovë.
Më parë Bogova ka qenë lagje e Novajt. Fshati filloi të popullohej rreth viteve 1950 ndërsa zhvillimin më të madh e mori pas viteve 90, atëherë edhe kur u krijua si qendër komunë. Në këtë fshat turistik ndodhet edhe hidrocentrali më i madh në qarkun e Beratit, i cili furnizohet me ujin e burimit të Bogovës.
Gjithashtu kemi ujëvarën e Bogovës, ndryshe e quajnë “Ujëvarën Qiellore të Zotave”. Ajo është një vend i mrekullueshëm ende i paprekur për të hyrë në kontakt me natyrën, e ngritur 20 m mbi pishinën e saj me ujëra akuamarinë.E vendosur në bregun e majtë të luginës së Osumit, kjo perlë e peizazhit shqiptar fshihet pas pyjeve të dendura të harlisur. E rrethuar nga nuancat e pasura të gjelbërimit, tërheqja e kësaj ujëvare qëndron pikërisht në izolimin e saj nga pjesa tjetër e botës.
Pjesa më e madhe e ekosistemit paraqitet në gjëndje të mirë dhe kushtet ekologjike duken të qëndrueshme. Gjelbërimi dhe bukuria e pyjeve, Osumi përfund dhe Rezervati i Bogovës, është shpallur dhe monument natyror me sipërfaqe 350 ha.
Sipërfaqja e tij është e mbuluar kryesisht nga: shkurret, shqopa, mareja, dëllinja etj.Gjithashtu rritet: sherebeli, kërpudha natyrore, salepi, trëndelina, rigoni, çaji i malit etj. Bota shtazore është e pasur, me një shumëllojshmëri gjitarësh të egër: derri i egër, lepuri, dhelpra. Vërehen edhe shumë shpendë të egër.                                                                                                                                        
Ky fshat turistik është dhe mbetet një nga perlat e turizmit malor në vend, me rreth 10 mijë turistë në vit. E quajtur ndryshe edhe si porta hyrëse e turizmit në Skrapar, pret e përcjell çdo fund-gushti besimtarët e kultit bektashi nga i gjithë vendi dhe hapësirat mbarë shqiptare. Ata ngjiten në malin e shenjtë, në malin e perëndive e të Dodonës pellazgjike. Tomori është quajtur mal mbretëror, ai është quajtur edhe baba Tomori. “Nuk ka mal tjetër në botë që të quhet baba, ndaj edhe është konsideruar si mali mbretëror që bashkon mbarë shqiptarët”.
Fshatrat përreth ofrojnë gjithashtu panorama të mrekullueshme të vreshtave dhe fermave. Pas vizitës tuaj në ujëvarë, mund të drekoni në një nga këto fshatra në kthim.
Ushqimi është gjithmonë i shijshëm dhe i freskët në këto anë. Uji i ftohtë, mishi i qengjit në hell, shoqërohet me rakinë e famshme të Skraparit, ndërsa mikpritja dhe bujaria e këtyre njerëzve ka bërë që ky vend të thithë shumë turistë, vendas dhe të huaj. Bogova të ofron bukurinë, misterin dhe mrekullinë, ëndrrën dhe ashpërsinë e jetës midis ngjyrave të shkëlqyera të natyrës, ku fryjnë erërat e lira!

Book your vacations

Adresa

Bogovë, Albania

Vlerësime

0

Ju duhet të hyni në llogarinë tuaj për të komentuar

ose