Midis Porto Palermos dhe Borshit, në anë të rrugës nacionale shfaqet në të majtë të kodrës fshati i vjetër i Qeparos. Emrin fshati e merr nga druri halor mesdhetar i drejtë e i lartë i qiparisit, një lloj bredhi që bën disa boçe të vogla e të forta, e që gjendet në këtë zonë.
Në majë të kodrës në Ngura është zbuluar një vendbanim prehistorik që daton rreth 3700 vjet me pare. Ndërsa fshati i vjetër është ndërtuar rreth 1000 vjet me parë dhe konsiderohet i treti vendbanim që kanë ndryshuar vendasit. Fshati i parë ka qënë i vendosur në zonën ku ndodhet kalaja 3000 vjeçare e Karosit me pesë radhë muresh. Ajo është kalaja më e madhe në Shqipërinë jug-perëndimore. Kulla e Ali Pashës që ndodhet rreth 1 km në veri të fshatit. Dy objekte të stilit bizantin, një monastir e një kishë i përkasin shekullit të 18-të dhe njihen që për ikonostasët e drurit, gjenden në rrugën që të çon në qendër të Qeparoit të vjetër.
Legjendat flasin për shumë kapedanë gjatë shekujve. E sipas njërës nga këto Qeparoi u ndërtua aty ku shndërriste një dritë mes errësirës. Gojëdhanat e ndajnë historinë mes Qeparoit të ri ndërtuar buzë detit dhe Qeparoit të vjetër. Dy fshatrat, rrinë për karshi si dy legjenda të një parajse të vogël natyrore.
Rajoni i Himarës karakterizohet nga rrethinat e tij malore dhe kodrat që zbresin direkt në detin e pastër kristal, ndërsa lugina e Qeparoit është e mbushur me agrume dhe ullinj e në krah të saj është plazhi i gjatë i Qeparoit. Plazhi ka rërë të hollë dhe deti në metrat e parë është i cekët ndryshe nga brigjet e Dhërmiut dhe Jalit.
Në anë të luginës plot me ullishte përgjaton lumi, i cili gjatë dimëreve të ashpra e përmbyt krejt luginën duke sjellë aluvione të cilat e pasurojnë periodikisht atë. Këtë fushë e quajnë një copë Misiri. Aty në ultësirë fillon plazhi i Qeparoit, buzë frëngut ku gjenden rrënojat e një limani të lashtë të rindërtuar periodikisht gjatë epokave të mëvonshme. Fshati i ri e ka fillimin tek Manastiri i Shën Dhimitrit që është ndërtuar plotësisht rreth viteve 1730. Pranë Shpellës së Shirokut degëzohet rruga automobilistike që çon drejt fshatit të vjetër.
Qeparoi gjallërohet gjatë stinës së verës nga vizitorët e shumtë që zgjedhin këtë zonë për plazhet e qeta dhe për gatimet fantastike tradicionale.
![Book your vacations](/assets/img/banners/book-and-register-desktop.gif)
Adresa
Qeparo, AlbaniaJu duhet të hyni në llogarinë tuaj për të komentuar