Muzeu Kombëtar i Arsimit ndodhet në ndërtesën e shkollës së parë shqipe, e hapur më 7 mars 1887 në Korçë, nga ana e mësuesit patriot Pandeli Sotiri. Ky objekt i cili fillimisht ishte shtëpi private e patriotit korçar Diamant Terpo, nga viti 1967 gëzon statusin Muze Kombëtar i Arsimit, ndërsa nga viti 1973 është shpallur edhe Monument Kulture.
Mësonjëtorja e Parë Shqipe ishte një shkollë kombëtare e laike, e cila konsiderohet si e para shkollë që u pajis me tekstet e lëndëve të ndryshme mësimore në gjuhën shqipe. Aty dhanë mësim metodistë dhe didakticienë të shquar të arsimit kombëtar shqiptar, personalitete të rëndësishme të jetës arsimore, shoqërore e politike. Kolonia patriotike e Bukureshtit nga njëra anë dhe rilindësit që gjendeshin në Stamboll ishin shtyllat kryesore ku u mbështet themelimi i Mësonjëtores së Korçës. Për zyrtarizimin e saj ndihmoi fuqimisht rilindësi Naim Frashëri, asokohe punonjës i Ministrisë së Arsimit në Stamboll.
Komiteti i Fshehtë Kombëtar, i përbërë nga: Jovan C. Kosturi, Orhan Çerçiz Pojani, Thimi Vasil Marko nga një anë dhe "Shoqëria e Mësimit Shqip" me Ali bej Dishnicën nga ana tjetër, përgatitën terrenin e çeljes së shkollës, duke mbledhur mbi 100 nënshkrime të kryefamiljarëve të Korçës, të cilët zotoheshin të dërgonin fëmijët e tyre në këtë shkollë. Gjithë barrën e shpenzimeve financiare e përballuan: shqiptarët e Rumanisë, në krye të së cilëve qëndronin Anastas Avram-Lakçe, Nikolla Naum Naço si dhe aktivistët Pandeli Evangjeli, Visar Dodani etj.
Mësonjëtorja i përkiste sistemit të shkollës fillore dhe kishte pesë klasë. Në bankat e një klase, u ulën djem e vajza bashkë, u ulën muslimanë e të krishterë, gjë që nuk kishte ndodhur më parë jo vetëm në shkollat e Korçës, por edhe më gjerë. Për herë të parë ishin bashkënxënës fëmijë të shtresave të pasura dhe të varfra, pasi deri në atë kohë arsimimi nuk ishte privilegj i shtresave të varfra. Drejtorët e Mësonjëtores kanë qenë: Pandeli Sotiri, Thanas Sina, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Kristaq Vaja. Mësuesit e saj ishin: Koço Sotiri, Hafiz Ali Korça, Nikolla Lako, Sabri Qyteza, Nikollaq Zografi, Thanas Nona, Spiro Kosturi, Thoma Avrami etj. Ndërsa tekstet mësimore u përgatitën nga: Naim e Sami Frashëri, Jani Vreto, Nuci Naçi etj.
Ndërtesa e Muzeut Kombëtar është një godinë dy katëshe, me një vjetërsi prej rreth një shekull e gjysmë dhe i llojit arkitektural. Në katin e parë përbëhet nga korridori dhe dy oda të mëdha, ndërsa në katin e dytë ka katër dhoma. Dritaret e saj janë rreth 80 cm të gjëra e të larta, me çatinë prej druri të mbuluar me tjegulla vendi dhe me fasadën ballore që zbukurohet nga qoshku.
Ndërtesa e muzeut ka tetë mjedise ekspozimi. Në këtë muze pasqyrohet historia e shkrimit shqip, e morisë së alfabeteve deri në alfabetin që kemi sot, vendosur në Kongresin e Manastirit, më 1908. Gjithashtu edhe historia e librit shqip prej abetares së parë të gjuhës shqipe (Evetari 1744), hartuar nga Naum Panajot Bredhi (Veqilharxhi), e deri te abetaret më të vonshme. Një pjesë e hapësirës së muzeut i kushtohet edhe masivizimit dhe modernizimit të arsimit dhe shkollës shqipe në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore.
Adresa
National Museum of Education, Rruga 10 Dhjetori, KorçëJu duhet të hyni në llogarinë tuaj për të komentuar