Parqet Kombëtare

Parku Arkeologjik Kombëtar, Qyteti Antik i Finiqit

Vlerësime 0

Qyteti Antik i Finiqit ndodhet 10 km në jugperëndim të Delvinës, mbi një kodër përbri fshatit Finiq. Qyteti Antik i Finiqit ndryshe Foinika, është një qytet i lashtë ilir dhe kryeqyteti i kaonëve. Është gjithashtu vendi ku u hartua marrëveshja e Finiqit, me të cilën u përfundua Lufta e Parë Maqedone.

Finiqi njihet si monument i trashëgimisë kulturore, i llojit "Arkeologji" me emrin zyrtar Qyteti Antik Finiqit , i miratuar në mars të vitit 1948, në tetor të vitit 1971 dhe së fundmi si "Park Arkeologjik Kombëtar" në mars të vitit 2005. Territori është i pasur me objekte arkeologjike të cilat datohen që nga periudha klasike e deri në atë bizantine. Nga burimet e lashta të Polibit, Strabonit, Tit Livit, Ptolemeut dhe më pas nga Prokopi e Hierokli, tregohet për pasurinë e madhe të qytetit, veçanërisht në periudhën helenistike, midis shek.III-II p.e.s. Phoinike organizoi brenda mureve të saj nënshkrimin e traktatit që i dha fund Luftës së Parë Maqedonase, traktat i njohur me emrin "Paqja e Phoinikë-s".

Gjatë periudhës bizantine me një interesim të veçantë, me mbështetje dhe ndërhyrje të rëndësishme urbanistike nga Justiniani, të dokumentuara nga Procopi, qyteti vazhdoi i sigurt për gati dhjetë shekuj me radhë.Ndërsa gjatë pushtimi turk, për të cilin Ugolini gjeti gjurmë arkeologjike që flisnin për një pushtim të dhunshëm, iu dha fund edhe historisë së vjetër të qytetit, i cili mbeti më pas një fshat i vogël në rrëzë të kodrës së acropoliti, Finiqi i sotëm.

Në vitin 1932 të gjitha rezultatet e kërkimeve të Luigi Ugolini-t, u përmblodhën në një monografi, e cila është edhe sot një vepër shumë e rëndësishme për qytetin. Muret rrethojnë sipërfaqen dhe një pjesë të shpateve të një kodre të gjatë dhe të ngushtë, e cila ngrihet 272 m nga fusha përreth, me gjatësi rreth 3 km dhe gjerësi 600 m. Qyteti romak dhe bizantin shtrihej edhe në pjesët më të ulta të kodrës, aty ku më vonë u ngrit fshati modern. Ugolini dhe gërmimet më te reja pas tij (të fundit në vitin 2002), identifikuan nekropolin grek dhe romak në shpatet e kodrës.

Këtu më pas arkeologët shqiptarë hipotizuan praninë e agorasë gjithashtu po këtu ndodhet edhe i ashtuquajturi thesauròs (një tempull i vogël prostylos), disa stera romake dhe kisha bizantine. Më vonë, gjatë viteve tetëdhjetë, u identifikua teatri, me dimensione shumë të mëdha, në shpatet jugore të kodrës, ekzistenca e të cilit u konfirmua nga punët e Misionit Italian në vitin 2000 dhe ku u rifilluan gërmimet në 2001.

Me të gjitha kërkimet dhe impenjimin e madh të Ugolinit, gjatë kohës së shkurtër që ai ndenji në Phoinike së bashku edhe me punimet e bëra më pas, ngelet akoma shumë për të zbuluar dhe për të kuptuar. Është akoma e panjohur shtrirja reale e qytetit, mbi të gjitha forma urbane, pjesa e rrjetit rrugor, shtrirja dhe forma e zonave shoqërore, tipologjitë e strukturave të banesës, raporti ndërmjet pjesës së sipërme të fortifikuar dhe asaj të poshtme në këmbët e kodrës. Qyteti i lashtë i Finiqit mbetet për tu vizituar nga turistë të huaj e vendas si një vlerë të madhe historike dhe arkeologjike, pjesë e pandarë e trashëgimisë tonë kulturore.

Book your vacations

Adresa

W374+CJ2, Finiq, Albania

Vlerësime

0

Ju duhet të hyni në llogarinë tuaj për të komentuar

ose