Parku Zoologjik ndodhet pranë Kopshtit Botanik, në fund të digës së liqenit artificial të Tiranës, e quajtur shëtitorja Lasgush Poradeci. Parku Zoologjik është hapur në vitin 1971.
Ai është i vetmi Park Zoologjik publik në Shqipëri, i ndërtuar në vitet 1960-1966, sipas një projekti të hartuar nga specialistë të huaj. Sipërfaqja e përgjithshme e parkut është 5.97 ha, nga të cilat 4.35 ha janë sipërfaqe e gjelbër, 1.3 ha janë sipërfaqe ujore e përbërë nga basene të vegjël me ujë, 1.8 ha zihen nga rrugë dhe sheshe të vogla dhe 0.14 ha, janë sipërfaqe ndërtimi të destinuara për kafshët dhe shpendët.
•Në fillim u ndërtua galeria qendrore, ku ekspozohen kafshë si: rriqebulli, ujku, dhelpra, sorkadhja, shqarthi, qelbësi, ketri, baldosa, kaprolli, gjarpërinj, etj.
•Ekspozohen shpendët si: shqiponja, pelikani, qyqja, huta, skifteri, bufi, lejleku, thëllënxa, shkurtëza, fazani, korbi, etj.
•Më pas në Kopshtin Zoologjik u ndërtuan edhe basenet ujore, liqenet e vogla ku u ekspozuan shpendë si: mjellmat, rosat e egra dhe u kultivuan peshku i kuq dhe krapi.
•Gjithashtu Kopshti Zoologjik rreth viteve 1973 u pasurua me pavionin e zogjve, ku rriteshin për ekspozim dhe tregëtim zogj si: kanarina, pëllumba të butë, gardelina, papagaj, pallonj dhe fazanë.
Parku Zoologjik mbetet një vend i përkryer për argëtimin e fëmijëve, me këndet e lojërave, me mjedise rekreative ku mbizotërojnë hapësirat e gjelbra të shfrytëzueshme për piknik por dhe me hapësira çlodhëse për vizitorët. Këto mjedise vizitohen nga nxënës dhe studentë duke u ofruar mundësi për të eksploruar botën e larmishme të kafshëve.