Pallati presidencial është një ansambël historik i rëndësisë së veçantë në Tiranë. Pallati presidencial dhe parku i tij është një monument i trashëgimisë kulturore në Tiranë. Ky monument është i llojit "Arkitekturë", i miratuar në nëntor të vitit 2004. Duke filluar nga viti 1992 ndërtesa shërben si Pallat Presidencial për pritje zyrtare. Më parë njihej me emrin Pallati i Brigadave, emër i cili u përdor gjatë regjimit komunist më 1945, në nderim të brigadave partizane që e çliruan.
Pallati filloi të ndërtohej nga Mbreti Zog I dhe është fryt i arkitekturës së mrekullueshme të viteve 1930-1940. Ky pallat i projektuar nga arkitektët italianë, në fillim Gulio Berte dhe më pas u përfundua nga Gherardo Bosio, do të shërbente si rezidenca e mbretit Zog. Në kohën e pushtimit të Shqipërisë nga Italia në vitin 1939, mbreti u largua dhe nuk arriti kurrë ta shihte pallatin mbretëror të përfunduar. Pallati dhe parku i tij u inauguruan në maj të vitit 1941 gjatë vizitës në Shqipëri të mbretit Viktor Emanueli i III-të.
Parku ka një sipërfaqe prej 36 ha dhe është i gjelbëruar në mënyrë konceptuale sipas projektuesve më të njohur evropianë, të shekullit të kaluar. Ajo çka i jep parkut vlera e një monumenti natyror janë edhe mbjelljet më masive të kryera, në vitet 1937-1945.
•Sipërfaqja e gjithë parkut përbëhet: nga shatërvanë me zinxhirin e ujit, galeri skulpturash në disa parqe, disa radhë kopshtesh me pemë, lule dhe labirinte në formë spiraleje, kopshti i luleve, shtegu i pyllit, kopshti me pishinë si dhe pista e stërvitjes së kuajve.
•Ky park është një galeri e vërtetë me skulptura mitologjike, i ndërtuar sipas modelit të Tempullit të Muzave, i kultit mitologjik të Apollonit.
•Gjithashtu një nga ndërtimet plotësuese është dhe kishëza e ndërtuar për mbretëreshën Geraldinë.
Pallat Presidencial është i ndërtuar në një kodër të butë pranë Saukut, është një dashuri e arkitekturës së viteve 1930, ku arti është derdhur pa kursyer nga skulptorët më të mirë evropianë të asaj kohe. Pallati është "Madhështor" me gjithë kuptimin e fjalës dhe mbetet një destinacion turistik për tu vizituar nga shumë turistë vendas e të huaj.