Natyrë

Fshati Ndroq

Vlerësime 0

Fshati Ndroq ndodhet në luginën e përshkuar nga lumi Erzen, në mes të rrugës automobilistike që lidh Tiranën me Durrësin ndërsa Ndroqi i vjetër ndodhet më në jug. Sipërfaqja e përgjithshme është mbi 4.5 km² dhe popullsia arrin në 5035 banorë.
Mendohet se emri i tij rrjedh nga fjalët ndën rrënjë apo ndën këmbë të malit, mbasi fshati  është vendosur në rrëzë të kodrës së kalasë së Ndroqit. Sipas të dhënave, si vendbanim ka ekzistuar që në periudhën romake. Por ai përmendet për të parën herë, si fshat i Andronikëve me rreth 23 shtëpi në defterin turk të Sanxhakut të Shqipërisë, të hartuar në vitet 1431-1432. Ultësira kodrinore mes Tiranës dhe Durrësit ndahet nga dy korridore gjeografike: grykën e Vorës dhe luginën e Ndroqit, ndër të cilat kalojnë dy rrugët natyrale që lidhin Durrësin me fushën pjellore të Tiranës dhe me malësitë e thella të Martaneshit, Krujës, Matit dhe Dibrës. Në kodrën dominuese ngrihet kalaja 387 m, mbi nivelin e detit. Lagjja më e madhe që ndodhet në juglindje të kalasë, ka qenë Varoshi. Në kodrat rreth e rrotull shtrihen lagjet e tjera.  
Ndroqi  njihet për kultivimin e ullirit, rrënjët e disa prej tyre janë 3000 vjeçarë.  Janë ngritur disa  punishte ku prodhohet vaj ulliri, i një cilësie shumë të mirë. Gjithashtu kodrat e fshatit Shesh janë mjaft të përmendura për vreshtarinë, ku kultivohen edhe dy lloje të njohura të rrushit, shesh i zi  dhe shesh i bardhë, prej nga kanë marrë emrin edhe dy verëra të njohura shqiptare. Në Ndroq është kthyer në traditë edhe organizimi i “Bio-Fest Ndroq”. Ky aktivitet i konceptuar si një panair produktesh bujqësore e blegtorale të zonës, ka si qëllim promovimin dhe nxitjen e agro turizmit. Ky fshat i bukur vetëm 16 km larg kryeqytetit mbetet një destinacion tërheqës për një fundjavë të këndshme me familjen apo shoqërinë. Një ditë ndryshe, e mbushur me histori, në natyrën e bukur, ajrin e pastër dhe me gatimet e larmishme e tradicionale të restoranteve që ndodhen buzë rrugës.

Book your vacations

Adresa

Ndroq, Albania

Vlerësime

0

Ju duhet të hyni në llogarinë tuaj për të komentuar

ose