Kulturë

QËNDRA HISTORIKE E HIMARËS

29 Jul 2022

Qëndra historike e Himarës ngrihet mbi një kodër 240 m të lartë. Nga verilindja dhe perëndimi gremina shërben si mbrojtje natyrore. Vendbanimi antik dhe mesjetar ështe ngritur mbi një vendbanim të periudhës së bronzit të vonë: Në periudhën prehistorike antike e mesjetare vendbanimi ka qenë I fortifikuar dhe njihet ndryshe edhe si Kalaja e Himarës. Në antikitet Himara ishte qendra më skajore në veriperëndim të Kaonisë, në malet Akrokeraune. Ajo përmendet në burimet antike në kapërcyellin e shek. I, nga autori romak Plini: “Në bregdetin e Epirit mbi malet e e Akrokeraunit, ndodhet kështjella e Himarës. Nën të burimi i ujit mbretëror”. Në shek. VI, përmendet nga Prokopi i Çezaresë, i cili e rendit ndër kështjellat e rifortifikuara nga Perandori Justinian. Mbas gati tre shekujsh heshtje, në doplomën e lëshuar në vitin 1020 nga perandori I Bizantit Vasili II, Himara figuron si peshkopatë në juridiksionin e Patriarkanës së Ohrit. Ajo është gjithashtu kryeqendra e krahinës me të njëjtin emër përgjatë gjithë mesjetës. Himara luajti një rol të rëndësishëm kryesisht gjatë periudhës së pushtimit ottoman, të cilit I rezistoi me sukses për pesë shekuj deri në themelimin e shtetit shqiptar, duke ruajtur autonominë e saj. Ndër dhjetra beteja kundër inkursioneve osmane, vlen të përmenden tre më të rëndësishmet. Në vitin 1481 kalaja çlirohet nga kryengritësit himariot në bashkëpunim me Gjon Kastriotin, të birin e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeun. Një tjetër përballje e rëndësishme është ajo kundër Sulltan Bajazitit II në vitin 1492, ku himariotër luftuan me heroizëm dhe megjithë humbjet e shumta në njerëz, rezistuan duke fituar të drejtën e vetëqeverisjes, në formën e një atonomie lokale të quajtur “Venomet”. Në vitin 1537 përballuan me sukses ekspeditën e Sulltan Sulejmanit, duke konfirmuar dhe njëherë venomet e tyre. Për këtë betejë tradita e banorëve, por dhe burimet historike ruajnë të gjallë heroizmin e himariotit Damjan, i cili pasi depërtoi në kampin e ushtrisë osmane tentoi të hynte në çadrën e Sulltanit për ta vrarë atë, por u kap nga rojet e Sulltanit. Tentative e tij dështoi, duke gjetur një fat tragjik. Muret antike të fortifikimit janë të tipit poligonal të ndërthurur me trapezoidal dhe rrethojnë kodrën nga verilindja në veriperëndim duke lënë të pa fortifikuar pjesën e greminës, që ngrihet mbi përroin e Vishës. Faza mesjetare e mureve ngrihet pikërisht mbi fazën antike. Nga faza mesjetare ruhet në gjëndje të mirë hyrja mesjetare në anën jugore dhe një kullë e rrumbullaktë në anën veri perëndimore. Në fillim të shek. XIX, kalaja humbet karakterin e saj mbrojtës dhe banesat ndërtohen jashtë murit rrethues, duke arritur përmasat e vendbanimit të sotshëm. Rrjeti rrugor brenda saj formohet nga rrugicat e ngushta me kalldrëm, kun ë disa raste ato kalojnë posht nënkalime me qemer të banesave. Banesat e kësaj qendre janë të tipit perdhese, me gjysmëkat përpendikular, si dhe banesa me kat. Brenda qendrës ndodhen dhe një numër i konsiderueshëm kishash ku më të rëndësishmet dhe më interesantet për t’u vizituar janë kisha e Sergjit dhe Bakut, kisha e Shën Mëhillit, Kisha e Kasiopitrës dhe kisha e Gjithëshenjtorve.