Natyrë

Fshati i Krrabës

Vlerësime 0

Fshati i Krrabës ndodhet në pjesën juglindore të Tiranës, midis rrjedhës së mesme të lumenjve Erzen dhe Shkumbin. Popullsia e Krrabës arrin në 2343 banorë dhe ka një zonë kodrinore, me lartësi që shkon nga 200 - 900 m.

Krraba është një zonë ish-industriale që u hap në vitin 1957, për të shfrytëzuar qymyrgurin. Industria e rëndë ishte e etur për mineralin që shërbente si lëndë djegëse. Ky vendburim ndodhet në juglindje të kryeqytetit rreth 28 km larg tij. Kështu nisi shfrytëzimi masiv i minierës dhe në Krrabë u sollën rreth 2000 punëtorë nga gjithë vendi, duke e kthyer në një qytezë të vogël. Miniera e Krrabës punoi deri në vitin 1990 dhe pas këtij viti doli jashtë funksionit të saj.

Si pjesë e ekonomisë në zonën e Krrabës ishte edhe ferma e krimbit të mëndafshit. Ajo u ngrit në vitin 1975 dhe produkti përdorej vetëm për tregun e brendshëm, në shërbim të industrisë së lehtë tekstile dhe veshjeve. Gjithashtu edhe blegtoria ka qenë traditë zhvillimi që në kohët më të vjetra. Mendohet se edhe vetë emri i fshatit Skuterrë, vjen pikërisht nga "bari dhensh". Gjuetia përbën një element shumë të rëndësishëm që favorizon turizmin malor dhe sportiv duke u bërë një burim të ardhurash për biznesin vendas.

•Bimësia e kësaj zone është mjaft e pasur. Ajo përfaqësohet kryesisht nga: brezi i shkurreve mesdhetare me gjelbërim të përhershëm dhe gjetherënëse si dhe pyjeve të dushkut.  Shkurret më të përhapura janë: mare, shqopë, shkozë, mëllenjë, mënishtje, xinë etj. Pasurisë së natyrës të zonës së Krrabës i shtohet edhe shumë llojshmëria e bimëve mjekësore të tilla si: murrizi, lule briri, bar blete, hithra, çaj mali, kamomili, trëndafili i egër, rozmarina, dafina, mëllaga e pyllit, lule basami etj. •Fauna në territorin e Krrabës i është përshtatur relievit malor, klimës dhe bimësisë. Në këtë zonë takohen gjitarët grabitqarë si: ujku, dhelpra, kunadhja, derri i egër, lepuri i egër, ketri etj.  Nga shpendët përmenden: skifteri, shqiponja mbretërore e malit, fajkoi, kukuvajka, qyqja, harabeli, bufi, qukapiku, thëllëza e malit etj.

Veshjet popullore që përdoren në kostumet e nuseve të malësisë Krrabës identifikohen me vargonjtë  e mesit, tirqet, kallcet. Ndërsa në veshjet e burrave spikat xhoka e zezë me krahë dhe pa krahë. Përveç këtyre, kjo zonë është mjaft e njohur edhe për punimin e çorapeve me motive karakteristike etj.

Krraba mbetet një destinacion shumë i pëlqyer për vizitorët që adhurojnë natyrën e bukur, ajrin e pastër e të freskët dhe sidomos për aventurierët e sporteve me plot adrenalinë si: rafting, kanoe, alpinizëm, biking, hiking etj. Gjithashtu territori i saj ka potencial në zhvillimin e turizmin malor, me format morfologjike të kodrave, vargjeve malore si dhe biodiversitetit të pasur.

Book your vacations

Adresa

Train Station, Bulevardi Zogu I, Tiranë 1001, Albania

Vlerësime

0

Ju duhet të hyni në llogarinë tuaj për të komentuar

ose