Natyrë

Qyteti i Rrogozhinës

Vlerësime 0

Rrogozhina ndodhet afërsisht 15 km në largësi me Kavajën dhe 80 km me Tiranën. Në Rrogozhinë shtrihet lumi më i rëndësishëm Shkumbini, afërsisht 2 km me qendrën e qytetit. Sipërfaqja e përgjithshme është 223.50  km² dhe  me popullsi e cila arrin në 40.684 banorë.

Historikisht njihet si qendër e banuar që nga shek.II pas Krishtit. Zhvillim të ndjeshëm ka patur në kohën e shfrytëzimit të rrugës Egnatia, në periudhat romake, të kryqëzatave evropiane drejt Lindjes në kohët e qytetërimit Bizantin. Rrogozhina në mesjetë quhej “Rrogozëza” mbasi në fushat buzë lumit Shkumbin, rritej me shumicë papiri, zhuka dhe kallamat të cilat me to prodhoheshin rrogozat për shtresa, bëheshin shporta dhe kanistra. Gjithashtu është i vetmi vend në Shqipëri që ka një lagje të tërë me emrin Miqësia, ku u ngulën çamët e dëbuar nga Greqia më 1944-ën.

Rrogozhina kishte dy prej ndërmarrjeve më në zë, në të gjithë Shqipërinë si: Fabrikën e Vaj-Sapunit dhe Uzinën e Zhveshjes së Pambukut. Lënda e parë sigurohej nga grumbullimi i prodhimit të ullirit në lokalitetet e Rrogozhinës, Peqinit, Kavajës, Lushnjës dhe Beratit. Krahas tyre ishte edhe punishtja e përpunimit të bimëve mjekësore dhe etero-vajore, ajo përmendej për rakinë e dëllinjës, e cila përdorej si pije por kishte edhe vlera kurative. Zhvillim dhe gjallëri të madhe mori sidomos me ndërtimin e hekurudhës Durrës-Peqin në vitin 1947.

Rrogozhina duke qenë se është një urë lidhëse për gjithë qytetet e Shqipërisë ka shumë mundësi zhvillimi për jetën ekonomike dhe asaj sociale. Pozicioni gjeografik, vendndodhja ndërmjet fushave pjellore të Cërrikut, luginat e Papërit, Bishqemit, fushat e Peqinit, të Myzeqesë dhe të Kavajës, kanë favorizuar zhvillimin ekonomik, industrial dhe  tregtar të saj. Në Rrogozhinë më shumë lëvizje sjell e shtuna, si dita e pazarit që zhvillohet një herë në javë. Në pazarin e Rrogozhinës vijnë fermerë që sjellin për të shitur gjënë e gjallë, produkte bujqësore dhe blegtorale nga disa fshatra si ato të Kavajës, të Pezës, Peqinit, Kodra dhe Fusha e Lushnjës etj. Rrogozhina është një qytet i pastër dhe mikpritës, gjithashtu mbetet të vizitohet përveç pazarit në fundjavë edhe për dy pikat e njohura si Bishti i Zhurit dhe Dy Çezmat.

Book your vacations

Adresa

Rrogozhinë, Albania

Vlerësime

0

Ju duhet të hyni në llogarinë tuaj për të komentuar

ose