Kulla me Karakoll ndodhet në fshatin me të njëjtin emër, në Konkodë të Pukës. E ndërtuar në mesin e vitit 1800, ajo dallon tipologjikisht nga gjithë banesat-kullë të krahinës. Në Shqipërinë e veriut, deri para disa viteve ruheshin tre banesa të quajtura kulla me karakoll. Karakolli ishte një ndërtim një kat më i lartë se ambientet e banimit me perimetër të vogël, i pajisur me frëngji dhe shërbente vetëm për mbrojtjen e banorëve të kësaj banese.
•Njëra prej këtyre banesave u përmbyt nga liqeni i Fierzës në fshatin Dardhë të Pukës.
•Tjetra në rrethin e Hasit do të rezistonte, por pa mundur të ekzistojë deri më sot.
•E treta dhe e vetmja “dëshmi” e këtij lloji banese është në fshatin Kokdodë të Pukës.
Në vitin 1908 kur studiuesja angleze Edit Durham kaloi në fshatin e Pukës, do t’i bënte përshtypje një banesë tepër e veçantë. Ajo shprehej se: është banesa më interesante që pashë në Shqipërinë e Veriut. Sot kjo kullë përbën ekzemplarin e vetëm të këtij tipi banese në Shqipëri.
Kulla me Karakoll mbetet për tu vizituar jo vetëm nga mjeshtëria e punimit, mentaliteti i gdhendjeve të shenjave në gurët e qosheve të kësaj banese, por edhe kuriozitetin që ruajnë të kodeve të lashta, të jetës së banorëve të krahinës.