Natyrë

Qyteti i Kolonjës

Vlerësime 0

Qyteti i Kolonjës ndodhet në pjesën Juglindore të Shqipërisë, në Korçë. Kolonja bën pjesë si njësi fiziko-gjeografike në krahinën malore qëndrore, pjesa jugore dhe me lartësi rreth 1100 m mbi nivelin e detit. Sipërfaqja e përgjithshme e rrethit është mbi 805 km², me popullsi e cila arrin në 26.535 banorë dhe me kryeqendër Ersekën. Në qytet jetojnë gjithsej 12840 banorë të ndarë sipas qyteteve: Ersekë dhe Leskovik dhe në zonat rurale jetojne 13.695 banorë. Prof. As. Dr. Skënder Aliu pohon se: Pllaja e Kolonjës, së bashku me pellgun e Korçës në Shqipërinë Juglindore, përfaqëson një nga rajonet më të pasura e më në zë të qytetërimit prehistorik, brenda vendit tonë e më gjerë në rrafshin ballkanik. Krahina e Kolonjës është banuar në lashtësi nga fisi ilir i Desaretëve.

•Kolonja përmendet në dokumentat e shkruar në vitin 1018, e banuar që në kohët prehistorike.

•Neoliti i mesëm në Luaras dhe i vonë në Kamnik 2800 deri 2600 p.e.r.

•Në hartën arkeologjike të krahinës njihen mbi 50 pika arkeologjike si: vendbanime prehistorike, shpella prehistorike, kala ilire, nekropole, tuma, kala mesjetare etj. Kolonja në lindje të saj ka malin e Gramozit (me një lartësi prej 2523 m), në perëndim Malin e Radomit, me Pragun e Qarrit i cili e ndan këtë Gropë nga Fushgropa e Korçës dhe në jug Malësinë e Leshnjes-Barmashit dhe malit Radom. Ajo përshkohet nga një sërë përenjsh të cilat përmblidhen në pellgun ujëmbledhës të Osumit si: përroin e Kozelit, Skorovotit, Starjes, Taçit e Prodanit dhe një sërë rrymash uji më të vogla me karakter stinor të aktivitetit të tyre. Në majën e një kodre në afërsi të fshatit Qinam është vendosur dhe vendbanimi parahistorik i Ollmit të Qinamit, si dhe shumë vendbanime të hershme në formë kalash të shkatëruara. Mali Gramoz Shërben si kufi ndarës i kësaj zone nga territori i Greqisë. Ekonomia e Kolonjës është e orientuar kryesisht te zhvillimi i biznesit të vogël, në fushën e ndërtimit, në shfrytëzimin e pyjeve dhe përpunimit për shitje të lëndës drusore. Krahina është kryesisht vend bujqësor e blegtoral dhe sipërfaqja e tokës bujqësore shërben për kultivimin e drithërave dhe foragjereve. Bota bimore e shtazore është e pasur.

•Gati 45 % e sipërfaqes është e mbuluar me pyje e shkurre ku takohen: zona e makjeve, dushkut, pishës, ahut, bredhit si dhe ajo e kullotave alpine.

•Kolonja mbart një pasuri të madhe pyjore prej 35000 ha, kullosore me 22000 ha, sipërfaqe fond gjuetie 40.000 ha (zonë e lejuar gjuetie) dhe zonë e ndaluar gjuetie prej 26.000 ha. Rritet shumëllojshmëri e florës dhe e faunës mjaft e pasur.

•Në kufirin lindor mbi zonat e banuara deri në kufi me Greqinë pra mali i Gramozit, rriten pothuaj të gjitha llojet e faunës së zonave malore nga të cilat përmendim: lepuri i egër, thëllëza e malit, dhelpra, ujku, ariu, sorkadhja, kaprolli, dhia e egër,derri i egër.

•Krahina ka reliev të thyer malor, me burime ujore nëntokësore të shumta si: burimi i Kozelit, Imavrës, Vllakës, Lacës, Vodicës etj, me ujë të pastër e të ftohtë.

•Krahina e Kolonjës zotëron zona me vlera të veçanta natyrore, që përbëjnë potencial të lartë turistik si: Pasuritë e qymyrgurit të Bezhanit, Burimet termale e me vlera kuruese të Vromonerit, Sarandoporit dhe gazrat sulfurore të pastudiuara të Postenanit. Historia e Kolonjës veçanërisht ajo e periudhës së Rilindjes Kombëtare, me mbi 60 për qind e figurave historike të vendit si: kapedanë trima, mësues heronj e ideologë të shquar të Pavarësisë së Shqipërisë ishin ose e kishin origjinën nga Kolonja. Kolonja mbetet si një destinacion i mahnitshëm turistik me monumentet e shumta natyrore, me fshatrat e pamjen e tyre piktoreske, me banorët të ngrohtë e miqësorë e bëjnë këtë zonë shumë të vizituar nga vendas e të huaj. Dëshira e Nolit e gdhendur në faqen e gurtë të një memoriali thotë: “Sa vend i bukur. Kur ta shpallim Shqipërinë Republikë, do të ndërtoj atje një kasolle dhe çdo behar do të vij të shkoj pushimet në fshatin e stërgjyshërve të mi”.

Book your vacations

Adresa

Kolonjë District, Albania

Vlerësime

0

Ju duhet të hyni në llogarinë tuaj për të komentuar

ose