Kavaja ndodhet në jugperëndim të Tiranës, në lartësinë 34 m mbi nivelin e detit. Kavaja është një qytet në Shqipërinë e mesme e cila kufizohet në veri me Durrësin 17 km, në lindje me Tiranën 27 km, në jug me Rrogozhinën 15 km ndërsa në perëndim shtrihet deti Adriatik. Sipërfaqja e përgjithshme e qytetit është 199,00 km² dhe me popullsi e cila arrin në 79,556 banorë.
Kavaja përmendet në arkivat osmane gjatë shek.XV dhe në atë kohë njihej me emrin Kavalje. Gjatë shek.XVII - XVIII Kavaja përjeton një lëvizje të madhe administrative dhe bëhet qendër tregtare. Mendohet se në vitin 1670 kishte: rreh 400 shtëpi, 200 dyqane, pazarin dhe xhamitë. Godina e vetme që i ka rezistuar kohës është Kulla së Sahatit e cila ndodhet edhe sot madhështore në qendër të qytetit.
Gjatë periudhës së regjimit komunist, Kavaja u shndërrua në qytet industrial si dhe qendër e bujqësisë për rajonin e vet. Kavaja njihet për përpunimin e poçerinës, qylymave dhe bakrit. Në vitin 1990 banorët e Kavajës ishin të parët që morën guximin për të mposhtur Regjimin Komunist dhe në mars nisën demonstratratën për Liri dhe Demokraci. Gjatë konfliktit me policin e asaj kohe, humbet jetën i riu, i shpallur dëshmor i demokracisë Josif Budo. Kavaja njihet edhe si qyteti i aktorit me famë botërore Aleksandër Moisiut, ku në fillim të shek.XX njihet si aktori më i mirë në skenën Gjermane dhe Austriake.
Kavaja ka një reliev fushor-kodrinor. Megjithatë përbëhet edhe nga malet si: në lindje nga mali Mënglë me lartësi 404 m, në veri nga mali i Zhurit me lartësi 256 m dhe në jug nga mali Frang me lartësi 311 m. Një tjetër pjesë e relievit në Kavajë është edhe përroi i Lishjatit, i cili kalon në mes të Kavajës. Gjithashtu ka si pikë orientimi Kepin e Lagjit, i cili laget në tre anët e tij me ujërat e detit Adriatik.
Kavaja është një qytet ku rolin kryesor në të ardhurat e luan turizmi, sidomos gjatë periudhës së verës ku mendohet se atë e vizitojnë rreth 400.000 turistë. Të ardhurat e tjera vijnë kryesisht nga bujqësia, kjo e ndikuar shumë edhe nga relievi. Ndërsa industria është pak e zhvilluar dhe është e përqendruar vetëm në nxjerrjen e gazit natyror në Sinaballaj.
Vija bregdetare e plazheve të Kavajës, fillon që nga shkëmbi i Kavajës, me plazhin e Golemit, për të vazhduar me Malin e Robit, me Qerretin, me Karpënin e deri në Spille. Pjesa më pak e njohur vijon pas plazhit të Qerretit. Në vijimësi të këtij segmenti ndodhen plazhet e Carinës, Kepi i Lagjit, Gjiri i Forsilukut, plazhi i Gurit të Lëmuar, plazhi i Spillesë.
Plazhi është i mrekullueshëm, ai frekuentohet nga mijëra pushues për sipërfaqen e madhe me rërë e cila është njëkohësisht edhe kurative, për ambjentet e freskëta që krijojnë kurorat e larta të pishave apo për aromën e boçeve të saj që të pastrojnë mushkëritë, për ujin dhe cekëtinë e bregut që është kaq i nevojshëm për lojërat e fëmijëve. Gjithashtu shumë pranë plazhit janë ndërtuar bare të bukura, restorante me gatime të shijshme të mishit apo të prodhimeve të freskëta të detit dhe hotele bashkohore me 3 apo 5 yje ku me shërbimin cilësor, pastërtinë dhe komoditetin që ofrojnë mbeten të vizituara nga turistë të shumtë vendas dhe të huaj, në çdo periudhë të vitit.
![Book your vacations](/assets/img/banners/book-and-register-desktop.gif)
Adresa
Kavajë, AlbaniaJu duhet të hyni në llogarinë tuaj për të komentuar