Laguna Kune-Vain-Tale ndodhet në Shëngjin, në pjesën veriperëndimore të Shqipërisë, me sipërfaqe rreth 4393.20 ha. Rajoni lagunor është në kategorinë e zonave të mbrojtura dhe përfshin lagunat e Kunës 10 km2, Merxhanit 2.5 km2, Knallës 2.2 km2, Cekës 2.2 km2, Vainit 14.5 km2 dhe deltën e Drinit të Lezhës.
Është sistemi ligatinor më i ndërlikuar, i vendosur në deltën e rrjedhjes së poshtme të Drinit, të Lezhës, përgjatë bregdetit Adriatik. Ndodhet shumë pranë fshatrave të ishull Lezhë, ishull Shëngjin dhe Tale. Përfshin habitate tokësore, laguna, moçale dhe këneta.
Klima është tipike mesdhetare. Rezervati natyror karakterizohet nga bimësia dhe biodiversiteti i lartë. Ka rreth 277 lloje bimësh. Fauna përfaqësohet nga 341 lloje si: gjitarë, zogj, amfibë, insekte dhe peshq. Mali i Rencit është zonë e një pylli të rrallë me dushkun, por në gjëndje natyrore rritet edhe shega. Në lagunë janë dalluar këta tipa: marin, estuarin, palustrin, riverin.Habitati estuarin është më i rëndësishëm dhe me shtrirje më të madhe, 64% të rezervatit. Takohen këta tipa kryesorë vegjetacioni: bimësi ujore, hidro-higrofile, halophys, psamofile, pyje dhe shkurre.Laguna ka vegjetacion ujor, të ujërave të njelmëta e të ëmbla si: zosterra noltii dhe ruppia cirrhosa dhe algat, që janë një nga burimet e oksigjenit në ujërat e lagunës.
Bimësia hidro-higrofilike mbulon një pjesë relativisht të madhe të lagunës së Kune-Vainit. Përbëhet nga komuniteti i phragmites australis, shumë i qëndrueshëm ndaj ndryshimeve mjedisore dhe i përhapur më shumë në brigjet e lagunës, të Cekës etj.
Bimësia halofile e përhapur në zonat me kripëzim të madh me llojin dominues si: arthrocnemum genera, që jetojnë në tokat kënetore me shumë kripë, të mbuluara nga uji në pjesën më të madhe të vitit. Rol më të dukshëm luan cyperus capitatus, euphorbia palasis etj.
Kjo zonë është e përfaqësuar gjithashtu, nga pyjet dhe shkurret tipike mesdhetare. Komuniteti pyjor është i përqendruar kryesisht në ishullin e Kunës dhe Zajet. Megjithë ndryshimet që kanë ndodhur në të, ajo ruan ende vlera të veçanta shkencore si zonë me një sërë tipe habitatesh, si IBA (Important Bird Area), shumë e rëndësishme për shpendët migratore dhe në mënyrë të veçantë për koloninë e çapkave. .
Ndër gjallesat e egra, e të rrezikuara në shkallë botërore janë: karabullaku, lundërza etj.Larmia dhe pasuria e shpendëve të ujit, me rëndësi të veçantë, ka qenë motivi i shpalljes së saj “Rezervat Gjuetie” në vitin 1940. Ndër shpendët rrëmbyes, që mbrohen nga disa konventa veçojmë: shqiponjën e malit dhe petritin. Rajoni vizitohet shpesh nga breshka e detit dhe foka mesdhetare, e cila ka rëndësi të veçantë në ekosistemin mesdhetar.
Adresa
Hidrovor (Grykë Lum), Shëngjin, Lezhë MunicipalityJu duhet të hyni në llogarinë tuaj për të komentuar