Muze

Muzeu Kombëtar i Arsimit

Vlerësime 0

Muzeu Kombëtar i Arsimit ndodhet në ndërtesën e shkollës së parë shqipe, e hapur më 7 mars 1887 në Korçë, nga ana e mësuesit patriot Pandeli Sotiri. Ky objekt i cili fillimisht ishte shtëpi private e patriotit korçar Diamant Terpo, nga viti 1967 gëzon statusin Muze Kombëtar i Arsimit, ndërsa nga viti 1973 është shpallur edhe Monument Kulture. 
Mësonjëtorja e Parë Shqipe ishte një shkollë kombëtare e laike, e cila konsiderohet si e para shkollë që u pajis me tekstet e lëndëve të ndryshme mësimore në gjuhën shqipe. Aty dhanë mësim metodistë dhe didakticienë të shquar të arsimit kombëtar shqiptar, personalitete të rëndësishme të jetës arsimore, shoqërore e politike. Kolonia patriotike e Bukureshtit nga njëra anë dhe rilindësit që gjendeshin në Stamboll ishin shtyllat kryesore ku u mbështet themelimi i Mësonjëtores së Korçës. Për zyrtarizimin e saj ndihmoi fuqimisht rilindësi Naim Frashëri, asokohe punonjës i Ministrisë së Arsimit në Stamboll.
Komiteti i Fshehtë Kombëtar, i përbërë nga: Jovan C. Kosturi, Orhan Çerçiz Pojani, Thimi Vasil Marko nga një anë dhe "Shoqëria e Mësimit Shqip" me Ali bej Dishnicën nga ana tjetër, përgatitën terrenin e çeljes së shkollës, duke mbledhur mbi 100 nënshkrime të kryefamiljarëve të Korçës, të cilët zotoheshin të dërgonin fëmijët e tyre në këtë shkollë. Gjithë barrën e shpenzimeve financiare e përballuan: shqiptarët e Rumanisë, në krye të së cilëve qëndronin Anastas Avram-Lakçe, Nikolla Naum Naço si dhe aktivistët Pandeli Evangjeli, Visar Dodani etj. 
Mësonjëtorja i përkiste sistemit të shkollës fillore dhe kishte pesë klasë. Në bankat e një klase, u ulën djem e vajza bashkë, u ulën muslimanë e të krishterë, gjë që nuk kishte ndodhur më parë jo vetëm në shkollat e Korçës, por edhe më gjerë. Për herë të parë ishin bashkënxënës fëmijë të shtresave të pasura dhe të varfra, pasi deri në atë kohë arsimimi nuk ishte privilegj i shtresave të varfra. Drejtorët e Mësonjëtores kanë qenë: Pandeli Sotiri, Thanas Sina, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Kristaq Vaja.  Mësuesit e saj ishin: Koço Sotiri, Hafiz Ali Korça, Nikolla Lako, Sabri Qyteza, Nikollaq Zografi, Thanas Nona, Spiro Kosturi, Thoma Avrami etj. Ndërsa tekstet mësimore u përgatitën nga: Naim e Sami Frashëri, Jani Vreto, Nuci Naçi etj. 
Ndërtesa e Muzeut Kombëtar është një godinë dy katëshe, me një vjetërsi prej rreth një shekull e gjysmë dhe i llojit arkitektural. Në katin e parë përbëhet nga korridori dhe dy oda të mëdha, ndërsa në katin e dytë ka katër dhoma. Dritaret e saj janë rreth 80 cm të gjëra e të larta, me çatinë prej druri të mbuluar me tjegulla vendi dhe me fasadën ballore që zbukurohet nga qoshku.
Ndërtesa e muzeut ka tetë mjedise ekspozimi. Në këtë muze pasqyrohet historia e shkrimit shqip, e morisë së alfabeteve deri në alfabetin që kemi sot, vendosur në Kongresin e Manastirit, më 1908. Gjithashtu edhe historia e librit shqip prej abetares së parë të gjuhës shqipe (Evetari 1744), hartuar nga Naum Panajot Bredhi (Veqilharxhi), e deri te abetaret më të vonshme. Një pjesë e hapësirës së muzeut i kushtohet edhe masivizimit dhe modernizimit të arsimit dhe shkollës shqipe në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore. 

Book your vacations

Adresa

National Museum of Education, Rruga 10 Dhjetori, Korçë

Vlerësime

0

Ju duhet të hyni në llogarinë tuaj për të komentuar

ose