Nën këmbët e malit të Krujës gjenden rrënojat e kështjellës brenda të cilës ngrihet Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” i njohur ndryshe dhe si Muzeu i Skënderbeut. Gjergj Kastriot Skënderbeu ishte udhëheqësi i një prej periudhave më të ndritura kombëtare, duke përbërë figurën rreth së cilës u brymos identiteti i shqiptarëve. Rikthimi i Skëndërbeut në Krujë, pas fëmijërisë së tij në Turqi, do ta ngjizte përjetë emrin e qytetit me Heroin.
Në qendër të muzeut është figura e Gjergj Kastriotit. Sapo hyn, përballesh me grupin skulpturor (altoreliev) të Skëndërbeut dhe trimave të tij, moment simbolik artistik i luftrave që udhëhoqi Heroi Kombëtar. Aty shfaqen në mënyrë artistike elementet e veshjeve dhe pajisjeve luftarake të kohës.
Skënderbeu portretizohet në artin pamor të muzeut si luftëtari dhe burri i shtetit që udhëhoqi betejat. Ndërsa në pavionet e tjera ruhen dokumente, bibliografi origjinale, riprodhime që tregojnë historinë në shekullin e XV-të.
Muzeu tregon në mënyrë kronologjike dinamikën e jetës së principateve shqiptare, nëpërmjet objekteve prej qeramike, bronxi, hekuri e bakri, ikonave origjinale, shpatave të kohës, deri edhe një këmbanë të vitit 1462.
Afresket e lakuara në muret e muzeut frymëzonen nga arti bizantin. Aty shfaqen portretizime romantike që nga rikthimi i Skëndërbeut në Krujë deri tek glorifikimi i bashkimit të principateve. Muzeu i Skënderbeut është i pajisur me guidë në gjuhët shqip dhe anglisht duke i dhënë një impuls domethënës njohjes së heroit të shqiptarëve, figura e të cilit është bërë pjesë e bibliografive të njohura në botë dhe ka frymëzuar artistët shqiptarë.
Adresa
Krujë Castle, Albanopolis, KrujëJu duhet të hyni në llogarinë tuaj për të komentuar