Muze

Muzeu Historik i Fierit

Vlerësime 0

Muzeu Historik ndodhet në qendër të qytetit. Përpjekjet e para për ngritjen e këtij muzeu, shënohen në vitin 1936, me arkeologun e njohur Leon Rei. Ky muze mendohej të ishte i karakterit arkeologjik, me objektet e zbuluara gjatë gërmimeve të qytetit antik të Apolonisë, por që nuk u realizua. Ngritja e muzeut u bë realitet vetëm pas çlirimit. Në fillim shërbeu si një ekspozitë për faunën dhe florën e rrethit. Më tej edhe si një ekspozitë e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare me fotografi, dokumente, kujtime, objekte dëshmorësh, të cilat u ekspozuan në dy dhoma të një godine pranë ish-turizmit. 
Muzeu historik u vendos në ndërtesën dykatëshe që është edhe sot në lagjen “Kastriot”, në korrik të vitit 1978. Për ngritjen e tij punuan prof. Neritan Ceka, Myzafer Korkuti, arkeolog prof. Paskal Milo, historian dr. Iljaz Gogaj, studiues Kleanthi Dedej, piktor Vilson Kilica, arkitekt Mauricio Bega etj. Muzeu në përbërje të tij ka: 
1.    Pavijonin e arkeologjisë, mbi 70% janë objekte origjinale. 
2.    Pavijonin para e pas shpalljes së pavarësisë deri në vitin 1939. 
3.    Eksponatin etnografik, ku paraqiten veshjet e trevës dhe objekte të përdorimit të përditshëm prej balte, hekuri, xunkthi, druri etj. 
Gjithashtu ka një fond të pasur arkivor në kujtime, ngjarje e data historike për LANÇ, studime historike, objekte të dëshmorëve dhe heronjve, veteranëve, armë mesjetare, të rilindjes dhe të luftës së parë e së dytë botërore, si edhe një fototekë e filmotekë të pasur.
Pavarësisht se konsiderohet si muze historik, ky institucion kryen edhe funksione të tjera në fushën e muzeologjisë. Në fakt ai përbëhet nga katër sektorë: arkeologjia, etnokultura, ikonografia dhe historia. Secila prej tyre përmban rëndësi më vete dhe rolin e saj specifik. 
Në secilin seksion ka aq shumë material, sa mund të hapej një muze i veçantë për të gjithë sektorët e prezantuar. Në disa prej gjetjeve më interesante që posedon ky muze, duke filluar nga periudha mesjetare e deri në vitet e 90, rëndësi të konsiderueshme në të zë edhe etnokultura dhe ikonografia.                                                                                          Po kështu muzeu, përmban edhe një material të pasur arkivor: me dokumenta, dëshmi memoristike, fotografi, materiale filmike, libra dhe studime historike. Përsa i përket etnografisë në dispozicion të këtij muzeu nuk mungojnë: kostumet popullore, veshjet e traditës, objektet të përdorimit personal dhe të përditshëm, armët e periudhave të ndryshme, vepra të shumta të artit figurativ të karakterit historik si dhe dëshmi të kultit, ikona të ndryshme, piktura etj.
Muzeu Historik Fier është një institucion, i cili jo vetëm mban me kujdes dhe paraqet këto objekte në ekspozitat e saj, por edhe promovon këto vepra që për trashëgiminë e historinë shqiptare mbajnë vlera të paçmuara mbi vete. Ndër to vlen të përmendet shkopi i Ali Pashë Tepelenës dhe shpata e themeluesit të qytetit të Fierit. 

Book your vacations

Adresa

Muzeu Historik i Fierit, Rruga Leon Rei, Kastriot

Vlerësime

0

Ju duhet të hyni në llogarinë tuaj për të komentuar

ose