Muze

Muzeu Arkeologjik i Durrësit

Vlerësime 0

Muzeu Arkeologjik i Durrësit ndodhet afër Vollgës, në rrugën Taulantia. Muzeu u hap në mars të vitit 1951, nga Vangjel Toçi, i njohur si babai i arkeologjisë durrsake. Objektet e para u vendosën në një vilë dy katëshe, duke ekspozuar ato artifakte që ishin zbuluar deri në atë kohë, nga nëntoka e zonës së Durrësit. Por gjatë viteve, godina e Muzeut Arkeologjik ka ndryshuar disa herë vendndodhjen e saj. Në vitin 1999, objektet e ekspozitës dhe fondeve arkeologjike u transferuan drejt godinës së Muzeut të ri Arkeologjik, e cila kishte filluar të ndërtohej në vitet 80 të shekullit të kaluar. 

Pjesa më e madhe e muzeut përbëhet nga 3204 objekte, që gjenden në vendin e lashtë të Dyrrahut. Sa hyn në këtë muze në pjesën ballore të saj shihen skulpturat e mëdha si: skulptura e perandorit romak dhe statuja e Geas, perëndeshës së tokës e pjellorisë e gjetur në vitin 2005 në qytetin e Durrësit. Mbeten për tu parë koleksione të tre periudhave të rëndësishme, duke filluar me periudhën prehistorike, me periudhën helenistike dhe periudhën romake.  

Periudha Prehistorike përfshin Dyrrahun e 3000 viteve më parë. Kjo periudhë është e pasur me artifakte të ndryshme, që nga sopata prej bronxi dhe duke vijuar me koka çekiçësh prej guri. Këto fakte historike dëshmojnë së këto treva kanë qenë të populluar nga banorë autoktonë. Duke na konfirmuar edhe njëherë, që Durrësi është një nga qytetet më të lashtë në Mesdhe.

Periudha Helenistike është e pasur me objekte prej qeramike, të dizenjuara me figura të ndryshme. Objekte të tilla janë tregues të një zhvillimi kulturor dhe ekonomik të qytetit përgjatë kësaj periudhe. Të gjetura pranë varreve antike që ekzistojnë në kodrat e qytetit të Durrësit, këto objekte mbeten një pasuri e çmuar. Gjenden edhe 10 fragmente të figurinave të ndryshme që paraqesin hyjninë e Artemisës, e cila njihet si hyjnesha që vigjilonte qytetin në dy drejtime: siguronte mbrojtjen ushtarake të tij si njohëse e natyrës dhe njëherazi bënte të mundur vijimësinë e popullatës së qytetit nëpërmjet mbrojtjes që ajo u jepte femrave.

Periudha Romake është periudha e fundit që ekspozohet në këtë muze. Kjo periudhë prezantohet me monedhat e prera në Dyrrahun antik, të cilat dëshmojnë zhvillimin e qytetit përgjatë periudhës romake. Është edhe thesari i Durrësit, një zbulim i bërë në vitin 1941, pranë pazarit të qytetit. Thesari i takon viteve 170 e.s dhe monedhat e gjetura i përkojnë perandorisë romake.

Duke qenë një vend bregdetar, ka bërë që muzeu të pasurohet jo vetëm nga zbulimet e nëntokës, por edhe nga zbulimet nënujore si: spirancat e anijeve dhe amforat e nxjerra nga fundi i detit, të cilat dëshmojnë për tregtinë e zhvilluar gjatë asaj periudhe. Veprat e shumta monumentale të këtij muzeu janë një dëshmi e gjallë  historisë sonë, të cilat prej vitesh e kanë kthyer muzeun, ndër më të vizituarin.

Durrësi është qyteti që bashkëjeton mes antikitetit dhe modernitetit, një thesar që asnjëherë nuk lodhesh së eksploruari, jo vetëm në aspektin historik por edhe në turizëm e kulturë.

Book your vacations

Adresa

Archaeological Museum, Durrës, Albania

Vlerësime

0

Ju duhet të hyni në llogarinë tuaj për të komentuar

ose